Rama: Çdo sulm mbi Kosovën është sulm mbi Shqipërinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë.

Rama në një intervistë për emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova nuk është vetëm, jo thjesht se e ka Shqipërinë, por sipas tij, sepse i ka edhe aleatët strategjik.

“Shqipëria nuk është thjesht një entitet gjeografik apo një entitet shtetëror që ka lidhje speciale me Kosovën dhe çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë, por nga anën tjetër, mos të harrojmë asnjëherë dhe për këtë arsye duhet me i pasë parasysh të gjitha kur nganjëherë e kalojmë masën në raport me aleatët, se Kosova nuk është vetëm, jo thjesht se ka Shqipërinë, po sepse ka aleat strategjik, që i dimë fare mirë kush janë, pa të cilin Kosova s’do të ekzistonte sot si shtet dhe me të cilët Kosova mund t’i arrijë të gjitha ato që ne të gjithë duam që Kosova t’i arrijë. Kështu që, për këtë arsye duhet menduar çdo ditë për peshën dhe rëndësinë e aleatëve, edhe kur je në një paqe të plotë e jo më kur je në një proces si ky, kur ke nevojë për sa më shumë miq dhe kur të humbasësh miq apo të ftohësh zemrën e miqve është gjëja më e pakëshillueshme e mundshme”, tha Rama.

Ai thotë se, as që diskutohet që Shqipëria do t’i qëndrojë pranë Kosovës në çdo rast nevoje.

“As nuk diskutohet që Shqipëria ka qëndruar, qëndron dhe do të qëndrojë pranë Kosovës në çdo rast nevoje, nëse edhe, mos e dhëntë Zoti gjërat shkojnë në pikën ku në mes nuk është më fjala, po janë armët”, tha Rama.

Për shkak të disa obligimeve që ka, ai tha se nuk do të jetë në Kosovë për shënimin e 16-vjetorit të pavarësisë, por shtoi se me shumë kënaqësi shpejt do ta viziton Prishtinën.