Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë sot në takimin dhe tryezën e diskutimit me titull “Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë 2024” të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Ai ka thënë se ky regjistrim është më shumë se numërim dhe siguron të dhëna të sakta dhe të plota demografike, socio-ekonomike dhe gjeografike, të cilat janë thelbësore për vendimmarrjen e informuar në çdo nivel.
“Qeveria e ka ndarë buxhetin e nevojshëm, ka ofruar hapësira për trajnime dhe ka siguruar logjistikën, duke u angazhuar në bashkërendim ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të garantuar një regjistrim cilësor dhe gjithëpërfshirës”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit.