Mbledhja e 188-të e Qeverisë së Kosovës ra në trevjetorin e fitores së Vetëvendosjes. Prandaj, kryeministri Albin Kurti hyrjen e kësaj mbledhje ia kushtoi punës së tyre trevjeçare.
Kurti, 14 shkurtin, e përshkroi si “datë historike”, “revolucion”, ndërsa qeverisjen e tij si “ngëdhnjim mbi korrupsionin”, “ndalje e gjakderdhjes financiare”.
Ai u lavdërua se edhe menaxhoi krizat e shumta në këto tri vjet, ndërsa për veriun tha se mbajtën premtimin e dhënë.
“Luftuam krimin dhe korrupsionin, siç kishim premtuar. Shkatërruam bandat kriminale në vend, përfshi ato të drogës e të kriptovalutave”.
Kurti tha se 14 shkurti në Kosovë nuk është vetëm Dita e të Dashuruarve, por edhe dita e dashurisë për Republikën.
Fjala e plotë e Kurtit:
Mbledhja e 188-të e Qeverisë, përkon pikërisht me datën që shënon tre vjetorin e fitores sonë historike të zgjedhjeve të 2021-shit; tre vjetorin e ndryshimit të madh demokratik, politik e shoqëror.
14 shkurti nuk paraqet vetëm përvjetorin e një fitore elektorale. 14 shkurti është momenti i përmbysjes më të madhe politike e demokratike në Kosovën e pasluftës. Është revolucioni elektoral, ku ngadhënjeu mirëqeverisja mbi korrupsionin, drejtësia mbi diskriminimin dhe interesi i përbashkët e publik mbi atë personal e privat. Për këto tri vite dëshmuam se është e mundur të qeveriset në përputhje me vullnetin e popullit, me duar të pastra, duke ruajtur e mbrojtur vendin, kushtetutshmërinë e ligjshmërinë dhe paqen e sigurinë.
Vendi ynë gjatë këtyre tri viteve ka qenë shembull i vërtetë i guximit e vendosmërisë së popullit dhe i qeverisë së tij, në përballje me sfida të mëdha, që erdhën e kaluan njëra pas tjetrës.
Ne betejën me pandemi siguruam vaksinat për një kohë shumë të shkurtër. Në përballje me pasojat ekonomike dhe energjetike të pandemisë dhe të agresioni ushtarak të Rusisë në Ukrainë, përgatitëm Pakon mbështetëse për qytetarët dhe bizneset. Banka Botërore vlerësoi se Kosova kishte pakon fiskale më të madhe në rajon, që u doli në ndihmë drejtpërdrejt qytetarëve, familjeve dhe bizneseve në përballje me sfidat globale të energjisë dhe kostos së jetesës të reflektuara edhe tek ne.
Janë përpjekur ta vonojnë reformën tonë në ekonomi dhe drejtësi, duke i sfiduar nismat tona në Gjykatën Kushtetuese, por reformat do të bëhen e po bëhen. Zhvillimi ekonomik është duke ndodhur e do të vazhdojë.
Me punë të ndershme ngritëm të hyrat tatimore, ngritëm prodhimin, eksportet dhe investimet e jashtme në shifra të papara ndonjëherë më parë. Në tri vitet e fundit, ekonomia jonë ka shënuar rritje të vazhdueshme: me një mesatare vjetore prej 6.2 për qind të bruto produktit vendor. Janë dyfishuar investimet e huaja direkte dhe eksportet, si dhe ka pasur një rritje prej dy të tretave të të ardhurave nga taksat pa ndryshime thelbësore të politikës fiskale.
Pasi ndalëm gjakderdhjen financiare, me masat tona qeveritare, i kemi rishpërndarë te qytetarët edhe rritjen ekonomike, edhe rritjen e të hyrave të shtetit. Arsimin e lartë e bëmë falas, siç kishim premtuar. Filluam me shtesa për nënat lehona dhe fëmijë, siç kishim premtuar. Krijuam platformën dhe mbështetëm punësimin e të rinjve, siç kishim premtuam. Luftuam krimin dhe korrupsionin, siç kishim premtuar. Shkatërruam bandat kriminale në vend, përfshi ato të drogës e të kriptovalutave.
Ligjshmëria dita ditës po shtrihet në çdo cep të Republikës së Kosovës, siç kishim premtuar.
Të dashur qytetarë,
Qeveria në këto tri vite ka investuar më shumë se të gjitha qeveritë e kaluara marrë së bashku në Forcat e Sigurisë së Kosovës, duke e bërë FSK-në një forcë serioze në mbrojtjen e paqes dhe sigurisë në vendin tonë. Gjersa në vitet 2018-2020 ishin investuar 3.6 milionë euro në pajisje, ne nga fillimi i qeverisjes sonë, i kemi investuar 239 milionë euro në pajisje të reja, të teknologjisë së fundit.
Shtetit ia kthyem terminalet doganore, siç kishim premtuar, e ndërmarrjet publike i kthyem në ndërmarrje fitimprurëse nëpërmjet investimeve të Qeverisë që po vazhdojnë. Për të rinjtë, krahas bursave, trajnimeve të ndryshme, granteve, aplikuam edhe platformën e suksesshme të punësimit Superpuna ku tashmë i kemi zgjeruar mundësitë për punësimin e të rinjve nga mosha 18 deri në 29 vjeç. Për 11 muaj Superpuna ka ndërmjetësuar punësimin e 9400 të rejave dhe të rinjve.
Mbështetja për bizneset e reja e të vogla, fermerët dhe organizatat jo-qeveritare, si dhe punësimi i komuniteteve jo shumicë, kurrë nuk e ka pasur fokusin qeveritar dhe dobinë për qytetarët sikurse në këto tri vite. Kosova është e të gjithëve, dhe të gjithë duhet të kontribuojnë për të. Sundimi i ligjit dhe shpërndarja e mirëqenies na bashkojnë, pa dallim etnik.
Për lidhjen e arsimit me tregun e punës, filluam zbatimin e arsimit dual tashmë në 21 shkolla, në 14 komuna, gjithandej Kosovës, në gjithsej 12 profile deri më tani. Ndërkaq, arsimin e lartë e bëmë falas. Prodhimtarinë vendore, bujqësinë e bujkun në veçanti e mbështetëm si asnjëherë më parë. Objektet shëndetësore i rinovuam, shkurtuam listat e pritjes, ndërkaq numrin e rasteve për trajtim jashtë vendit në shëndetësi e reduktuam ndjeshëm. Avancuam politikën e jashtme. Liberalizimi i vizave u jetësua sivjet. E realizuam, ndonëse nuk e kishim premtuar. Spanja njohu pasaportat tona, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli, hoqën vizat për qytetarët tanë.
Manifesta dhe organizimi i lojërave Mesdhetare 2030, krahas shumë punëve në ndërtim të terreneve sportive dhe në restaurim të Trashëgimisë tonë kulturore shënjojnë punë të rëndësishme në sferën e kulturës, e të sportit.
Të nderuar qytetarë,
14 shkurti është vullneti i këtij populli për të ndërtuar të ardhmen e tij në mes popujve e shteteve të tjera të barabarta, të zhvilluara, demokratike, e të forta. Kosova e 14 shkurtit, sot pas 3 vitesh, është Republikë më e fortë, më e qëndrueshme, më e sigurtë dhe më e mirë për të jetuar.
Në Republikën e Kosovës, me 14 shkurt nuk shënohet thjeshtë vetëm dita e dashurisë ndaj njerëzve të dashur, por shënohet edhe dita e dashurisë dhe përkushtimit ndaj Republikës sonë. 14 shkurti për Kosovën, është dita e dashurisë ndaj vlerave dhe interesit të përbashkët.
Urime 14 shkurti, dhe ju faleminderit!