Kryetari i Partisë Republikane të Serbisë, Nikola Sanduloviq, ka folur për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për rregulloren e re, sipas të cilës ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Sanduloviq ka thënë se shuma e dinarëve që Serbia ka dërguar në Kosovë ishte ne vlerë prej rreth 800 milionë eurosh dhe me të cilat më nuk do të pasurohen Radoiçiq, Veselinoviq, Rakiq e kriminelë të tjerë nga Lista Serbe.
Lidhur me këtë, politikani opozitar serb ka parashtruar disa pyetje.
“A është e vërtetë se tani problem ishin dinarët që i dërgoheshin Kosovës nga buxheti i Serbisë, pa asnjë kontroll të institucioneve të Kosovës dhe në kartmonedha?”, ka pyetur Sanduloviq.
Më fund Sanduloviq ka pyetur se “kush nga Lista Serbe dhe përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë e kanë pasur në dispozicion atë shumë të dinarëve dhe si i kanë shpërndarë? Kujt dhe sa?”.