Kur po bëhen një vit, nga ujdia e Brukselit dhe shtojca e Ohrit, ku Kosova e Serbia e pajtuan një marrëveshje por nuk e nënshkruan, Albin Kurti, ka një thirrje urgjente. Kryeministri i Kosovës, gjatë një debati në Institutin Chatham House në Londër, thotë se nënshkrimi është më i domosdoshëm se kurrë. E refuzimi i shtetit serb, për firmosje, sipas tij mund të ketë një arsye të errët.
“Mosnënshkrimi i ujdisë që e kemi, është shenjë e qartë e mosbesimit.Kështu që na duhet një mirëbesim , në mënyrë që të kemi siguri juridike dhe zbatim të asaj, për të cilën jemi dakorduar. Kur ata refuzojnë të nënshkruajnë marrëveshjen, ata duan të mbajnë një opsion hapur për ta pushtuar Kosovën. Unë nuk shoh ndonjë kuptim tjetër substancial të këtij refuzimi për nënshkrim, po kësaj që ata duan ta mbajnë hapur këtë derë, që të kenë ndonjë dritare mundësie që ata të kthehen dhe sërish të bëjnë agresionin”,tha i pari i qeverisë kosovare.
Kurti, u pyet për mundësinë e rrezikut të përsëritjes së një sulmi të armatosur siç ishte ai në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023. Ai,shton se ka një aryse madhore se akti i agresionit nuk po përseritet.
“Mendoj se arsyeja kryesore është se ata panë patrullime të përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe ushtarëve të NATO-s. Dhe ne duhet të punojmë më shumë, që të parandalojmë cfarëdo lloj të kërcënimeve të sigurisë dhe ne po ecim mirë me aleatët tanë, në këtë aspekt.”
Ai, akuzoi presidentin e Serbisë, për aleancë me Rusinë përderisa shtoi se Vuçiq, siç e quan me agresivitetin e tij karshi Kosovës, do të mbaj raporte të mira me Kremlinin. E sa për perspektivën evropiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kurti, mes tjerash tha se në Kosovë 94% e popullsisë duan ti bashkohen BE-së, kurse në Serbi vetëm 35%. Kjo sipas tij është fort e rëndësishme për tu potencuar.