Kryeministri Albin Kurti mori pjesë sot në ceremoninë komemorative në nderim të jetës së profesor Moshe Landsman, bashkëthemelues i Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Kurti tha se Landsman profesionin e tij ai e shndërroi në aktivizim.
”Në Kosovë ne e njohim si një nga të parët që ateroi në një grup humanitar pas luftës në Kosovë, dhe i ndihmonte viktimat e luftës. Pra, i pyeste se në një situatë kush është viktima. Dhe merrej së pari me viktimën. Dhe nëpërmjet viktimës e kuptonte atë situatë dhe përpiqej që me të tjerët ta ndryshonte”, tha Kurti.
Fjala e plotë e Kurtit në ceremoninë komemorative:
Të nderuar profesorë të departamentit të Psikologjisë,
Të dashur studentë,
Të nderuar të pranishëm,
Moshe Landsman, ishte psikolog, profesor, mësimdhënës, këshillëdhënës, mentor, aktivist dhe punëtor i ndryshimeve pozitive e progresiste, me në qendër njeriun dhe të drejtën.
Profesionin e tij, ai e shndërroi në aktivizëm sepse atë çfarë e lexonte, atë çfarë e dinte, e ndante me të tjerët dhe përpiqej të përdorej dhe të mirëpërdorej që shoqëria, bota të bëhet edhe më shumë, edhe më e mirë se sa që është. Dhe krejt kjo jo duke punuar me shoqërinë e me botën në mënyrë abstrakte e të përgjithshme, por individualisht me të gjithë ata që i takonte dhe me të gjithë ata të cilët shkëmbehej.
Në Kosovë ne e njohim si një nga të parët që ateroi në një grup humanitar pas luftës në Kosovë, dhe i ndihmonte viktimat e luftës. Pra, i pyeste se në një situatë kush është viktima. Dhe merrej së pari me viktimën. Dhe nëpërmjet viktimës e kuptonte atë situatë dhe përpiqej që me të tjerët ta ndryshonte.
Së bashku me profesorin Neki Juniku, akademikun Pajazit Nushi, profesorin Willy Butollo dhe psikologët tanë ishte bashkëthemelues i Departamentit të Psikologjisë në Universitet të Prishtinës.
E si psikolog i komunitetit drejtësia shoqërore, çlirimi dhe fuqizimi, ishin në qendër të preokupimeve dhe të angazhimit të tij në Qendrën për Rehabilitimin e viktimave të torturës, me Shoqatën Kombëtare të Autizmit e me shumë organizata të tjera të shoqërisë civile në Kosovë, por edhe në vendet tjera.