Vlera e koeficientit të pagave këtë vit do të jetë 110, për dallim nga viti i kaluar që ishte 105, por rritja e pagave në arsim me këtë koeficient nuk është pritur mirë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj në një deklaratë për Telegrafin, ka shprehur pakënaqësi dhe zhgënjim me rritjen e fundit të pagave që është bërë e që mesatarisht i bie 28 euro, duke e cilësuar edhe si ironike.
Ai tha se shpresat i kishin orientuar tek ndryshimi i këtij koeficienti nga ana e Qeverisë, për siç tha ai “ duke i pa shqetësime tona tek sistemi arsimor, si dhe të policisë, zjarrfikësit, shëndetësia etj, do të bënte një ngritje më të madhe”.
“Mirëpo ndodhi ajo që e kishte paralajmëruar ministri i Financave që vlera e koeficientit nga viti 2024 do të rritet nga 105 në 110. Kjo ka shtuar shumë pakënaqësi në arsim dhe në sektorë të tjerë. Me këtë rritje ‘ironike’ vijmë në përfundim se pagat në arsim mesatarisht janë shtuar 28 euro. Jo pak mësimdhënës janë shprehur ‘më mirë mos t’i marrim hiç, se sa t’i marrim këto rritje’ ”, ka thënë Jasharaj.