Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj Ismet Bahtjarit, Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës.
Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se janë bashkuar çështjet gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit e të Haxhi Shalës.
Në njoftimin për media nga Dhomat e Specializuara, thuhet se më 8 shkurt 2024, Gjykatësi i Procedurës Paraprake Giju miratoi kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e çështjes kundër Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit me atë kundër Haxhi Shalës.
“ Gjykatësi Giju konstatoi se bashkimi i këtyre dy çështjeve i plotëson kërkesat e Rregullës 89(1) të Rregullores, se do t’i shërbente administrimit në mënyrën e duhur të drejtësisë dhe nuk do të ishte paragjykues ose në mospërputhje me të drejtat e të akuzuarit”, ka njoftuar Dhomat e Specializuara.
Mbrojtja e Januzit dhe Bahtjarit pretendojnë se ZPS-ja po kërkon që përmes një aktakuze të përbashkët të shtojë akuza të cilat janë hedhur në fazën e konfirmimit për këtë rast.
Për këtë javë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pritet të mbahet vetëm një seancë.