Haradinaj e pret Hovenierin në parti, i tregon për diskutimet që i pati në DASH, Pentagon, Kongres e Senat

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka pritur në selinë e partisë së tij ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier me të cilin tha se diskutuan “për zhvillimet e fundit në vend”.

Haradinaj shkroi në Facebook se e ka falënderuar Hovenierin për “angazhimin e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë në mbështetje të vizitës që realizova në Amerikë”.

“Z. Hovenier e njoftova për temat e diskutimit gjatë takimeve që kisha në Department të Shtetit, Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, Pentagon, Kongres dhe Senat, ku kërkova që dialogu strategjik Kosovë-Amerikë të shtrihet në marrëdhënie bilaterale dhe të ndodhë me hapa të përshpejtuar anëtarësimi i Kosovës në NATO”, shkroi Haradinaj.

“Aleanca mes dy vendeve tona është e përjetshme dhe do të punojmë pandalur që të zhvillohet e forcohet çdo ditë”, shtoi ai.