Kryetari i KF Rahovecit, Enis Durguti, është shprehur i kënaqur me fitoren ndaj KF Istogut si mysafir, teksa komplimentoi skuadrën kundërshtare për mikpritjen.
Durguti që vetëm pak kohë më parë u emërua kryetar i klubit, startin e ka perfekt me dy fitore në dy ndeshjet e para, e rezultat pozitiv ai thotë se ka pritur.
Sa i përket Superligës ai beson se është objektiv real, ndërkaq për të betonuar gjasat për këtë objektiv thotë se duhet ende mbështetje financiare, ndonëse puna e bërë deri tash sipas fjalëve të tij duket të jetë e jashtëzakonshme nga bordi i ri.
“Po gjithsesi kemi pritur një rezultat pozitiv, duke pasur parasysh ekipin që kemi krijuar këtë sezon dhe pjesën teknike që e kemi organizuar. Por, shumë me rëndësi është që të punohet në mënyrë konstante dhe të shikohet një ndeshje pas tjetrës të fitohet me koncentrim maksimal dhe harmoni, jo vetëm mes lojtarëve, por të jetë një gjë që rrjedh nga i gjithë stafi i KF Rahovecit”.
“Nuk ishte ndeshje aspak e lehtë ndeshja me Istogun, por me një përkushtim arritëm t’i mposhtim dhe t’i arkëtojmë tri pikët e rëndësishme, por vlen të përmendet Istogu që mbetet një nga nikoqirët më mikpritës në Ligën e Parë. Ecurinë e sezonit e shohim një lojë, një fitore deri në fund të sezonit”.“Superliga është në objektivat tona. Sa i përket financave kemi një fillim të mbarë ku disa prej kompanive janë duke na përkrahur duke shfrytëzuar ligjin për sponsorizim në sport, por që në të njëjtën kohë jemi në bisedime të avancuara edhe me disa kompani të tjera që në fund të dalim triumfues si në organizim ashtu edhe në rezultatin sportiv”, u shpreh Durguti për Rahoveci24.
Rahoveci është lider në Ligën e Parë me dy fitore nga dy ndeshjet e zhvilluara.