Sulmi terrorist i Banjskës po vazhdon të hetohet në detaje nga Prokuroria Speciale. Materialet e shumta, por edhe dërgimi i disa provave jashtë vendit për ekzaminim, duket se do t’ia vonojnë paksa prokurorisë ngritjen e aktakuzës.
Kur kanë kaluar rreth pesë muaj nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, Prokuroria Speciale po vazhdon akoma hetimet.
Ngritja e aktakuzës duket se Prokurorisë do t’i marrë edhe pak kohë.
Shkak është bërë edhe dërgimi i disa provave për ekzaminim jashtë vendit.
“Përveç hetimeve që i zhvillon në këtë rast prokuroria, ka edhe elemente të tjera si mjetet të cilat janë konfiskuar duhet të kalojnë përmes laboratorëve të cilët fatkeqësisht në Kosovë nuk janë duke funksionuar dhe duhet që këto të shkojnë në shtete të tjera, nënkupton se mund të zgjatet edhe hetimi por mund të zgjatet edhe koha deri kur mund të ngritet aktakuza”, ka thënë Ehat Miftaraj nga IKD.
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala që tani është avokat, tregon se Prokuroria mund të marrë edhe deri në tri vite kohë për ngritje të aktakuzës.
“Nëse do ta kishim një aktakuzë të shpejtë, atëherë vërtetë nuk do të ishte e përgatitur dhe e argumentuar siç e përcakton Kodi i Procedurës Penale. Prandaj duhet t’i ketë Prokuroria Speciale duart e lira dhe të punoj me profesionalizëm dhe kur t’i mbledhë të gjitha provat, atëherë ta ngritë akuzën, e jo ta ngritë aktakuzën me gjysmë prova apo edhe me supozime. Nëse bindet se është e nevojshme t’i jepet edhe kjo mundësi, atëherë prokurorit mund t’i jepet afat edhe një vit, pra tri vite zgjatë procedura hetimore”, ka deklaruar Hasan Shala – Ish-kryetar i Gjykatës së Apelit
Në një konferencë për media të mbajtur në dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se pret që policia dhe prokuroria të dalin me një raport për rastin.
Ky veprim nuk i duket në rregull avokatit Shala.
“Nuk është e hijshme që para se të ngritet akuza të dal prokuroria me raport. Mirë është që prokuroria të dal me akuzë, akuza do të jetë publike edhe atëherë edhe opinioni do të njoftohet. Para se të ngritet akuza nuk është mirë që të dilet publikisht me raport sepse mund të cenohet edhe hetimi”, vijoi ai.
Prokuroria nuk i është përgjigjur televizionit se në cilën fazë janë hetimet, si dhe në pyetjet që ndërlidhen me provat e dërguara jashtë vendit.
Përgjegjësinë kryesore për sulmin e ka marrë përsipër Millan Radojiçiq. Megjithatë, mungesa e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë do ta vështirësojë dënimin e tij.