Jasharaj: Kurti e Nagavci as që duan të takohen me ne – rrezik për “grevë të heshtur”

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, nuk e ka përjashtuar mundësinë e një greve “të heshtur” në arsim.

Jasharaj tha se “greva e heshtur” nënkupton mungesën e vullnetit të mësimdhënësve për shkak të pakënaqësive me Ligjin e Pagave, teksa tha se kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ministrja e Arsimti, Arbërie Nagavci, nuk po duan të takohen me ta.

“‘Grevë të heshtur’ e kam quajtur kur mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë në tërë sektorin publik janë të pakënaqur dhe nuk japin kontributin e duhur. ‘Grevë e heshtur’ në arsim nënkupton kur mësimdhënësit i humbin disa minuta para orës mësimore hynë në debatet që hapen në sallat e arsimtarëve për pakënaqësi që nuk gjejnë zgjidhje”.

“Kryesisht në rastin konkret kur kryeministri, ministrja Nagavci as që duan të takohen me ne e të dëgjojnë hallet tona. Si rast më konkret i një rreziku për ‘grevë të heshtur’ është pakënaqësia tejet e madhe në arsim, polici, zjarrfikës, me rastin e koeficientit nga 105 në 110 që është ironike”, tha Jashari për EkonomiaOnline.

Ai tha se përveç pagave, shqetësues është edhe largimi i mësimdhënësve nga vendi, ku sipas tij, trendi i largimit drejt Perëndimit është i madh dhe se numri po rritet çdo ditë.

“Ne nuk kemi shifra të sakta sepse nuk jemi marrë drejtpërdrejt me këtë çështje por nëpër komuna e dinë dhe të iu them se ne kur e morëm numrin prej 300 e që po rriten, kemi pritur që Drejtoria Komunale e Arsimit e MAShTI do kenë takime urgjente për të parë çka e pse po ndodh kur dihet se vitet e kaluar numri i atyre që kanë kërkuar pushim pa pagesë ka qenë minimal”.

“Jemi frikësuar shumë nga kjo rritje, pasi mund të kaloj në shprehi, e mund të ndodh që të kemi ikje të vazhdueshme dhe them se mësimdhënësit e Kosovës nëse zgjedhin rrugë të tillë nuk bëjnë mirë, mirëpo arsye kanë ngase janë të zhgënjyer”, u shpreh Jasharaj.

Kreu i SBAShK-ut kritikoi edhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, pasi tha se si për inati “e mbajti fjalën” për të mos e ngritur koeficientin më shumë se 110 euro.

“Kanë pritur shumë nga Ligji i Pagave që i zhgënjeu, e edhe nga qeveria se mos do e ngritë koeficientin e pagave së paku në 130 euro dhe si për inate e mbajti atë fjalën që e kishte thënë Murati në gjysmën e vitit të kaluar se ngritja do jetë nga 105 në 110 dhe kjo krijoi zhgënjim”, tha ai.