Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se në ditën kur bashkë me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, do të ballafaqohen me sulmet, gënjeshtrat dhe propagandën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, opozita në Kosovë po debaton për ministrinë të cilën ajo e udhëheq.
Gërvalla tha se mezi po pret që të flet edhe për keqmenaxhimin e parasë publike edhe për punësimet e jashtëligjshme, familjarizmin dhe sipas saj, shkeljet konstante të ligjit në MPJD.
“Meqenëse detyra ime ma kërkon që sot të jem në Nju Jork dhe nga pamundësia që të jem e pranishme në atë seancë të Kuvendit, dua të përcjell mesazhin që jo vetëm që nuk i shmangem asnjë debati dhe asnjë hetimi, por mezi po pres që të flasim edhe për keqmenaxhimin e parasë publike edhe për punësimet e jashtëligjshme, familjarizmin dhe shkeljet konstante të ligjit në këtë ministri. Mezi po pres”.
“Duke mos dashur të merremi me të kaluarën, si qeveri e re kemi kryer reformën më të thellë në këtë institucion të rëndësishëm të Republikës, duke vendosur në çdo segment si kriter të vetëm ligjin, profesionalizmin dhe meritokracinë dhe duke vënë në binarë të duhur kontrollin e financave dhe parasë publike si dhe llogaridhënien në çdo fushë, si brenda ministrisë, ashtu edhe në misionet tona diplomatike jashtë vendit”, tha Gërvalla.