Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të ndryshohet objektivi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.
Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, ka kërkuar të zgjerohet veprimtaria e këtij komisioni hetimor.
“Nëse duam hetim të mirëfilltë të ngjarjeve, veprimet e mos veprimeve në IML-së në Kuvend duhet ta zgjerojmë fushë veprimtarinë të këtij komisioni hetimor parlamentar. IML për gjatë viteve është përcjell me skandale e shkelje të shumta të shumta, e shumë prej tyre fatkeqësisht asnjëherë nuk ka pasur as hetim nga prokurori e as trajtim nga drejtësia”, ka thënë Rrustemi.
“Pikërisht fakti që për këto shkelje në të kaluarën nuk janë trajtuar nga prokurori është e domosdoshme të këtë hetim parlamentar. Kështu, ne mund t`i shërbejmë edhe sistemit të prokurorisë. Ne si grup parlamentar nuk jemi kundër themelimit të komisioneve parlamentare, por mbështesim idenë për themelim të mirëfilltë të komisioneve parlamentare. Ne propozojmë të zgjerohet fushëveprimtaria edhe me tri çështje tjera”, shtoi ai.