Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka treguar në Kuvend të Kosovës kërkesën për krijimin e një Komisioni Hetimor për të hetuar zhdukjen e mostrave të rastit të Astrit Deharit. Ai ka kërkuar përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje për të miratuar krijimin e një Komisioni të tillë, shkruan Gazeta Express.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë treguar se e përkrahin një kërkesë të tillë të PDK-së për krijimin e një Komisioni Hetimor.
Besnik Tahiri ka thënë se është tepër i dyshimtë fakti që Instituti i Mjekësisë Ligjore kaplohet nga zjarri dy herë brenda një periudhe të shkurtër.
Fjalën për këtë çështje e ka marrë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se edhe në dhjetor kur është diskutuar për këtë çështje ka qenë pro themelimit të një Komisioni të tillë, por që të zgjerohet periudha për të cilën një Komision i tillë do të kryejë hetime.
Haxhiu madje ka shfrytëzuar rastin që të kritikojë Prokurorinë Themelore të Prishtinës dhe Prokurorinë Speciale duke thënë se Komisionet hetimore krijohen në momentin kur institucionet që kanë për detyrë ta bëjnë një punë të tillë nuk e kryejnë punën e tyre si duhet.
“Në dhjetor 2023 kemi diskutuar për këtë çështje, dhe më kujtohet se kur e pata mbështetur krijimin e një komisioni hetimor, sidomos në rrethanat kur s’ka veprim të duhur, serioz dhe profesional qoftë të Prokurorisë Themelore qoftë të asaj Speciale. Zjarret janë duke u hetuar nga Themelorja në Prishtinë dhe zhdukja e mostrave të Astrit Deharit nga Prokuroria Speciale. Në rrethanat kur s’ka veprime serioze nga institucionet që e kanë përgjegjësi çfarëdo përpjekje tjetër për të vënë drejtësi është e mirëseardhur. Ky Komision duhet të zgjerohet për të hetuar edhe skandalet që kanë ndodhur aty ndër vite, kur vrasjen janë shndërruar në vetëvrasje apo e kundërta. Kam përmendur edhe pagesat e paligjshëm të ekspertëve të IML-së. Edhe në kohën kur ju z.Tahiri keni qenë ministër. Gjithashtu edhe mbi 700 autopsi që s’janë mbyllur asnjëherë. Pra nëse ti më tregon sot të paktën një veprim që e ke marrë si ministër për të fuqizuar dhe për të adresuar shkeljet në IML, unë ta japë dorën”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë ka kritikuar edhe ish-ministrin Abelard Tahiri duke i thënë se si ministër s’ka bërë asgjë që të përmirësohet gjendja në Institutin e Mjekësisë Ligjore, shkruan Gazeta Express.
“Asnjë përpjekje nuk e kë bërë në bazë të informatave që unë i kam. Gjendja ka qenë e mjerueshme, por se cilat kanë qenë veprimet tona jam në gjendje të flasë në Komision hetimor nëse themelohet ose kudo”, ka thënë Haxhiu.
Ajo tutje ka thënë se në momentin kur e ka marrë detyrën e ministres, ka kërkuar inspektim për veprimet që janë marrë nga zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe nga zyrtarët e inspektoratit dhe siç thotë Haxhiu ka rezultuar se ata i kanë marrë kamerat e qendrës së paraburgimit në Prizren në mënyrë të paligjshme.
Haxhiu ka thënë se dikush i ka thënë se një gjë e till është bërë me urdhër të Dhuarata Hoxhës që në atë kohë ka qenë ministre e Drejtësisë, megjithatë ka thënë se s’ka fakte për një gjë të tillë por që “ashtu është folur nëpër ministri”
“Në kohën kur ka ndodhur vrasja e Astrit Deharit ministre ka qenë Dhurata Hoxha. Kur e kam marrë detyrën e ministres, kam kërkuar inspektim të të gjitha veprimeve që i ka marrë SHKK me këtë rast. Ka rezultuar që zyrtarët e inspektoratit dhe SHKK-së i kanë marrë kamerat në mënyrë të paligjshme. Unë e kam thënë edhe në Prokurori, sipas informacioneve që kam pranuar, e kanë bërë me urdhër të Dhurata Hoxhës. E kam thënë edhe publikisht. S’kam fakte që Dhurata i ka detyru por kështu është folë në ministri. Është radha e Prokurorisë Speciale që me e thirrë me e pyet a është e vërtetë që i ka urdhëru zyrtarët me i marrë ato dhe pastaj të publikohen në televizionet private”, ka thënë Haxhiu.
Pas saj, ka replikuar përsëri deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, duke i thënë ministres Haxhiu se po kërkon të shmanget nga kërkesa qendrore e PDK-së që Komisioni Hetimore të bëhet vetëm për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.
Tahiri ka thënë se kur PDK po kërkon hetim për zhdukjen e mostrave, VV po tenton të zhvendos vëmendjen tek zjarret e ndodhura në IML e tek puna apo mos puna ndër vite në atë institucion.
Tahiri ka thënë se po të ishte në pozicionin e Haxhiut do të kërkonte që të bëhej Komision hetimor vetëm për zhdukjen e mostrave dhe të largohen të gjitha çështjet e tjera.
Deputeti i PDK-së ka thënë se po t’i ndodhte një gjë e tillë sa ka qenë ministër do të largohej edhe nga jeta publike, meqë siç thotë Tahiri është përgjegjësi morale shumë e madhe.
“Kur e kemi bërë kërkesën për themelimin e këtij Komisioni më është dukur e tepër me i përfshi edhe zjarre vëniet dhe rastin Dehari. Se thojsha që VV ka me kërku vetëm rastin Dehari meqë është shumë e rëndësishëm për ta. Na themi hajde merremi me rastin Dehari, këta thonë qy zjarri. Na themi hadje merremi me rastin Deari, këta thonë thonë jo objekti. More me rastin Dehari, jo vitin 2005, na rasti Dehari, këta jo tenderi. Oj zojë, ti s’ki nevojë as me ma dhanë dorën, e as me ta dhanë dorën. Unë po du me pa qysh ka ardhë deri te zhdukja e mostrave të Deharit. Me pas kanë në pozicionin tënd ku je ulur, pasha Zotin kisha kërkuar me i heq këto tjerat, hekni se o marre. Veç rastin Dehari, veç mostrat ki me mi trajtu. Nuk pe di qysh ke mujt me bo këtë kapërcim të madh. Me pas ndodh në kohën time, pasha Zotin kisha dhanë dorëheqje nga jeta publike. Është përgjegjësi morale shumë e madhe, pavarësisht që s’ki faj, se e di që ti s’je kanë me i ru ato. E rëndësishme është që të shërohet plaga e popullit, e atyre prindërve të shkretë, e asaj vajze që po rritet, është me e pa qysh hupën ato mostra. Ato tjera po i heqim, po merremi vetmë me rastin Dehari. Më kish lëshu toka me e pas këtë pozicion tëndin”, ka thënë Tahiri./GazetaExpress/