Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Uran Ismaili, ka njoftuar se kanë shkëputur koalicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës në kryeqytet.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Ismaili njofton se ka dërguar shkresën zyrtare te kryetari i Komunës, Përparim Rama, për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës, teksa ka thënë se drejtorët e Drejtorive Komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike, kanë dhënë dorëheqjet e tyre.
“Pasi shfuqizuam vendimin për Badoc, shkëpusim koalicionin qeverisës në Prishtinë
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës sot, PDK mundësoi kuorumin dhe votoi pro shfuqizimit të vendimit për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badoc.
Sapo dërgova shkresën zyrtare tek Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre“, shkroi ai.
Kryetari i PDK-së në Prishtinë tha se nuk do të jenë pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik dhe sipas tyre, janë tërhequr nga të gjitha pozitat për t’i hapur rrugë krijimit të një shumice të re në kryeqytet.
“Ne nuk do të jemi pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik, ku mungon komunikimi, ku puna e mirë nuk vlerësohet dhe meritokracia përbuzet. Duke mos dashur asnjëherë që Prishtina të bllokohet, jemi tërhequr nga të gjitha pozitiat për të hapur rrugë për krijimin e një shumice të re në Kryeqytet“, tha Ismaili.