Seanca e Kuvendit të Kosovës është përcjellur me tensione të shumta mes deputetëve të pozitës e opozitës.
Në fjalën e tij, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se për shkak të performancës të dobët të ministrisë së jashtme kanë ardhur sanskionet nga BE-ja.
Ai përmendi edhe seancën e Këshillit të Sigurisë të OKB-së ku do të marrin pjesë kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, duke thënë se ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca e kishin këshilluar Kosovën që në mbledhje të tilla të dërgonin përfaqësues të rangut më të ulët, e jo të përfaqësohej nga kryeministri apo presidentja.
“E vetmja seancë dhe kënaqësi e Serbisë është me e ftu mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, sepse aty në radhë të parë për Kosovën flet UNMIK-u. Ata gjithmonë kanë qef me na pa aty ku flet UNMIK-u për Kosovën dhe pastaj flasin përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Ne në të kaluarën, së bashku me partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me ata partnerë që janë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit si Britania e Madhe dhe Franca, jemi dakordu që sa më ulët me e përfaqësu Kosovën në atë nivel, sepse është UNMIK-u. Pra, mundësisht mos me shku as ministri i Jashtëm, as Presidenti, mirëpo me shku ambasadori”, tha Tahiri.