Një numër i konsiderueshëm i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë në përgatitje të padisë ndaj Qeverisë së Kosovës. Kjo për shkak se kryeministri Albin Kurti ka pezulluar një rregullore përmes së cilës ushtarakët përfitonin disa shtesa në pagat e tyre.
E përfaqësuesi i disa prej këtyre ushtarëve, thotë se ky pezullim është bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe gjykata do t’i japë të drejtë atyre.
Përfaqësuesi i disa prej tyre, Naim Rudari thotë se rregullorja e miratuar në janar të 2020-ës u pezullua nga kryeministri Albin Kurti në korrik të vitit 2021 në mënyrë të kundërligjshme.
Avokati tregon se Gjykata u ka dhënë të drejtë disa ushtarëve që kanë bërë padinë e njëjtë ndaj shtetit, andaj është optimist se edhe këtë rast do ta fitojnë në organet gjyqësore.
Për këtë gjë janë në dijeni edhe anëtarët e Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, raporton teve1.
Deputeti, Hisen Berisha përmes një përgjigje të shkurt për televizionin ka thënë se këtë çështje do ta adresojë të enjten në Seancën e Kuvendit të Kosovës.