Sihana Ferhat Bejtuallahu në një reagim në profilin e saj në ‘facebook’ po pretendon se Policia dhe Prokuroria nuk po e bëjnë punën e tyre si duhet sa i përket rastit të babait të saj që është goditur për vdekje nga një veturë në një nga rrugët e kryeqytetit.
Ajo thotë se ka më shumë se dy muaj që po endet nëpër institucione dhe që ka dërguar email-a, megjithatë thotë se s’ka asnjë përgjigje.
Siç pretendon ajo, personi që e ka goditur prindin e saj në rrugën tek sheshi Bill Clinton, ka qenë duke drejtuar veturën e tipit Porsche 911 dhe se është djali i një personi të fortë financiarisht dhe politikisht.
Sihana Ferhat Bejtuallhu thotë se ky person deri tani s’e ka mbajtur as edhe një orë burg, pavarësisht faktit se ia ka goditur prindin e saj me veturë, siç thotë ajo në shiritin rrugor për autobusë dhe me shpejtësi marramendëse.
Ajo këtë reagim e ka bërë, duke parë raportimet në media dhe ngritjen e shqetësimeve për trajtimin e rastit të vrasjes së 18 vjeçarit në Podujevë dhe rasteve të tjera.