Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius ka thënë se çështja e dinarit duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi të ndërmjetësuar nga Brukseli.
“Këtu janë përplasur dy këndvështrime: nga njëra anë, rregullorja paraqet zbatimin e Kushtetutës së Kosovës, dhe nga ana tjetër, Kushtetuta e Serbisë parasheh dinarin si mjetin e vetëm të pagesës. Për mua është e qartë se pjesa serbe e popullsisë, veçanërisht në veri të Kosovës, ende varet nga përdorimi i dinarit serb. Ndryshimi kërkon kohë. Dhe kjo kohë duhet të jepet për të arritur një zgjidhje përmes dialogut. Mendoj se edhe ky konflikt duhet të zgjidhet në tryezën e bisedimeve në kuadër të dialogut të paqes të udhëhequr nga BE-ja. Deri atëherë duhet shmangur përshkallëzimi për shkak të veprimeve të nxituara” ka thënë Pistorius.
Ministri gjerman ka bërë komente edhe rreth dialogut Kosovë -Serbi duke thënë se ky proces s’po arrin përparim të qëndrueshëm.
“Situata në rajon mbetet komplekse dhe ndonjëherë e tensionuar për shkak të konflikteve të ndryshme, të rrënjosura thellë dhe pjesërisht historike. Marrëdhëniet mes dy vendeve po zhvillohen ngadalë. Dialogu për normalizimin nën patronazhin e BE-së vazhdon të japë impulse të reja, por, për fat të keq, nuk arrin një përparim të qëndrueshëm. Progresi shpesh bllokohet nga mosbesimi i thellë.