Një takim i radhës i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq po kushtëzohet nga Kosova me formalizim të Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të Implementimit.
Ky ka qenë qëndrimi që Kurti ia ka thënë emisarit sllovak Miroslav Lajcak në takimin që kanë pasur bashkë. Megjithatë për BE-në të dy marrëveshjet janë ligjërisht obligative për të dy palët dhe do të jenë pjesë përbërëse e perspektivës evropiane të të dy vendeve. Kështu ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, në konferencën e mbajtur për media më 31 janar të këtij viti, ka thënë se në takimin e fundit në mes të emisarit sllovak Miroslav Lajcak dhe kryeministrit Albin Kurti është thënë se do të ishte mirë të organizohej një takim i nivelit të lartë, megjithatë qëndrimi i Kosovës ka qenë se një i tillë s’do të kishte vlerë derisa Serbia s’shpreh gatishmëri për ta nënshkruar marrëveshjen dhe për ta implementuar atë.
Lidhur me këtë kushtëzim të Kosovës rreth zhvillimit të një takimi të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq, në një përgjigje për Gazetën Express ka folur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Stano ka thënë se BE-ja e përsërit që Marrëveshja është obligative në gjithë tërësinë e saj dhe se implementimi i saj do të jetë pjesë integrale e perspektivës evropianë të të dy vendeve.