Një gjykatë federale amerikane vendosi se Donald Trump mund të përballet me gjykim nën akuzat se kishte komplotuar që të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke hedhur poshtë pretendimet e ish-presidentit se ai është imun nga ndjekja penale.
Ky vendim është i dyti në muajt e fundit që gjykatësit kanë hedhur poshtë argumentet e Trumpit për imunitet dhe gjykata se ai mund të ndiqet penalisht për veprimet e ndërmarra në kohën kur ishte në Shtëpinë e Bardhë dhe më prag të 6 janarit 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan.
Ky vendim po ashtu hap rrugën për apele të tjera nga ish-presidenti republikan dhe kjo çështje mund të përfundojë në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara. Gjykimi ndaj Trumpit, për akuzat që lidhen me përmbysjen e rezultatit zgjedhor, fillimisht ishte paraparë të mbahej në mars, por javën e kaluar u shty dhe gjykatësi i rastit ende nuk ka vendosur një datë të re.
“Për qëllimin e kësaj çështjeje penale, ish-presidenti Trump është shndërruar në qytetarin Trump me të gjitha mbrojtjet që gëzon çdo i pandehur tjetër”, tha paneli prej tre gjyqtarësh në Gjykatën e Apelit në Qarkun e Kolombias.