Investimet për energji të pastër, Kurti fton për aplikime, tregon se mbështetja mund të shkojë deri në 2 mijë euro

Ministria e Ekonomisë ka lansuar thirrjen publike për mbështetjen e familjeve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për investimin në sisteme të energjisë së pastër.

Në lidhje me këtë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se do të ulet barra për sistemin energjetik por edhe do të fuqizohen familjet e bizneset për të bërë zgjidhje të qëndrueshme.

“Me skemën që po e lansojmë sot, familjet mund të aplikojnë për mbështetje për sisteme diellore me kapacitet prej 3 deri në 7 KW, ku do të subvencionohen me 250 euro për KW, deri në 1 mijë e 750 euro në total.

“Edhe për ndërmarrjet të vogla dhe të mesme vlera e subvencionimit do të jetë 250 euro në KW me kapacitet prej 3 deri në 9 KW, maksimalisht deri në 2 mijë euro”, tha Kurti

Më tej, ai tha se për kapacitet prej 10 KW e më shumë, bizneset do të subvencionohen me 200 euro për KW deri në 600 euro në total.

“Për instalimin e sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, që nga mesi i këtij muaji, bizneset do të mund të subvencionohen 40% të vlerës deri në 4 mijë euro”.

“Për këto dy masa, bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave, mbi 51% do të subvencionohen me 200 euro shtesë”, tha Kurti.