Mospërmbushja e obligimeve financiare ndaj avokatëve ka bërë që pas një muaji, mbrojtja ligjore e Hashim Thaçit, i akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale, të reduktohet në një avokat.
Ministria e Drejtësisë i ka paguar ekipit mbrojtës të Thaçit mbi 3.5 milionë euro, por kjo shumë duket e pamjaftueshme. Në një komunikatë për media ditë më parë, fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”, shprehu shqetësimin rreth udhëzimit të ri administrativ të Ministrisë së Drejtësisë dhe ndërprerjen e kontratës së ekipit mbrojtës të Thaçit.
Pas një muaji, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbrohet vetëm nga një avokat.
Kjo pasi ekipi mbrojtës i Thaçit, në krye me avokatin kryesor Gregory Kehoe, ka kërkuar tërheqjen nga përfaqësimi i tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Shkak për këtë është bërë mospërmbushja e obligimeve financiare.
Ndonëse Ministria e Drejtësisë ia ka paguar ekipit mbrojtës të Thaçit mbi 3.5 milionë euro, kjo po duket e pamjaftueshme.
Lidhur me këtë, MD-ja ka thënë se kjo bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe se pagesa bëhet vetëm për avokatët me të cilët ka marrëveshje.
Por kjo ministri, sipas ndryshim-plotësimit të Udhëzimit të ri Administrativ, i cili më 30 janar 2024 ka përfunduar konsultimin publik, parasheh kategorizime dhe limitet e pagesave për avokatët mbrojtës në bazë të rastit që kanë, ku vlera më e lartë arrin në 110 mijë euro për muaj.
Për këtë, avokatët e akredituar në Dhomat e Specializuara në Hagë thonë se ndryshimet në udhëzim mund të ndikojnë në procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve.