Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu rikonfirmoi të dielën se ushtria do të nis një operacion edhe në qytetin kufitar Rafah, për të luftuar me militantët e Hamasit.
Komentet e tij vijnë ndërsa janë rritur shqetësimet se futja e forcave tokësore në këtë qytet do të shkaktonte një situatë edhe më dëshpëruese për palestinezët që kanë gjetur strehim aty, duke iu larguar zonave ku po kryhen luftime.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha të dielën se Izraeli ka shkatërruar shumicën e forcave tokësore të Hamasit, por ai theksoi se ushtria do të “merret” edhe me ato që kanë mbetur në Gazën jugore, përfshirë qytetin në kufi me Egjiptin, Rafahun, ku shumë palestinezë kanë gjetur strehim.
Në Tel Aviv, zoti Netanyahu tha në një mbledhje të kabinetit të tij se ushtria ka shkatërruar 17 nga 24 batalionet e Hamasit.
Ai tha se forcat e ushtrisë po punonin gjithashtu për të shkatërruar tunelet nëntokësore, një operacion që sipas tij do të kërkonte më shumë kohë. Sa i përket pengjeve, kryeministri izraelit tha se po punonet për lirimin e tyre dhe se ai nuk do të pranonte çdo marrëveshje.
“Përpjekjet për lirimin e pengjeve vazhdojnë. Siç e theksova edhe në mbledhjen e kabinetit, ne nuk do të pajtohemi me çdo marrëveshje dhe jo me çdo lloj kushti. Shumë gjëra që thuhen në media sikur ne jemi pajtuar me to, si për shembull lirimin e terroristëve, nuk janë të vërteta”, tha ai.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se futja e forcave tokësore izraelite në qytetin Rafah do të ishte tepër dëshpëruese për mijëra njerëz janë zhvendosur aty nga qyteti Khan Younis dhe pjesë të tjera të Gazës jugore, ndërsa lufta Izrael-Hamas po vazhdon. Një sulm izraelit me dron goditi një makinë civile të dielën, tha një dëshmitar okular për agjencinë e lajmeve Associated Press.