Ish-i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka reaguar ndaj një njoftimi të Ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, lidhur me ankandin e parë të diellit në Kosovë, duke treguar se asnjë kompani apo investitor amerikan nuk ka ofruar ofertë për një gjë të tillë.
Rizvanolli bëri të ditur në rrjetin social “X” se kompanitë dhe diaspora kosovare nga Turqia, Gjermania, Franca, Egjipti dhe Zvicra kanë paraqitur oferta në “Solar Auction 100 MW”.
“Asnjë kompani apo investitor amerikan nuk ka ofertuar për një projekt të mundshëm të madh diellor në Kosovë pas kontakteve të gjera me Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë. Kompanitë amerikane kanë frikë nga destabiliteti i krijuar nga Albin Kurti”, ka thënë Grenell në rrjetin social “X”.
Grenell shton se edhe Departamenti i Shtetit i Joe Biden fajëson Kurtin për veprimet e tij të njëanshme që destabilizojnë situatën në veri të Kosovës.
“Ne kemi nevojë për investime amerikane në Ballkan, përfshirë Kosovën – por shtimi i trupave të NATO-s është drejtimi i gabuar për të tërhequr investime të huaja”, thotë Grenell.