Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje e mjeteve të rrezikshme është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Raste të tilla zbulohen pothuajse çdo ditë në të gjitha qytetet në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë edhe sot në rrugën “William Walker” në Prizren, ku Policia ka ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te i dyshuari, zyrtarët policorë kanë gjetur një sasi të marihuanës dhe një mjet të fortë.
Qesja me marihuanë dhe provat e tjera janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar që ndaj tij të iniciohet rasti për veprën penale “Posedim i paautorizuar substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.