Pal Lekajn pas gjykatës e “godasin” edhe nga partia, Avni Arifi i kërkon dorëheqjen

Avni Arifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar dorëheqjen e Pal Lekajt nga pozita e nënkryetarit të kësaj partie si dhe nga pozicioni i deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar me tre vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtimit të buxhetit të Kosovës. Dënimi, i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar, ka të bëjë me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Arifi ka thënë të mërkurën se procesi nuk ka përfunduar akoma, por shton Lekaj duhet ta mbrojë vetën në cilësinë e qytetarit, e jo në atë të deputetit e nënkryetarit të AAK-së.

”Sot cdo njeri i AAK-së që pushtetin e sheh si besim dhe shërbim e të tillë janë me mijëra u goditën rëndë nga dënimi i deputetit dhe nënkryetarit të AAKsë z. Pal Lekaj. Meqenëse procesi nuk ka përfunduar dhe është heret që të prejudikohet fajësia apo pafajësia e z. Lekaj, i takon atij që procesin e dyshuar ta mbroj vet në cilësinë e qytetarit e jo duke mbajtur pozicionin e deputetit dhe nënkryetarit të AAK-së”.

“Pali me dorëheqje i bën nder vehtes dhe partisë.  Si ish kolegë dhe bashkëpartiak e kam të vështirë të besoj se z.Lekaj është fajtor por si qytetarë i Kosovës besoj në sistemin juridik të Kosovës dhe në verdikt të  final nga Gjykata e Apelit çfarëdo që të jetë ai. Z.Lekaj pavarësishtë se është i respektuar nga shumë qytetarë ai tani  është subjekt i drejtësisë dhe nuk e ndihmon as vehten as AAK-në me aktivitet politik”, ka shkruar Arifi në Facebook.