Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka akuzuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, se po i përçan shqiptarët atje.
Ai tha se tash e dy vite e ka ftuar Kurtin për vizitë në Preshevë, por i njëjti ka refuzuar të shkojë.
“Tash e dy vjet, unë e kam ftuar kryeministrin Albin Kurti në komunën e Preshevës, nuk ka ardhur. Në momentin që ka dërguar ministra, nuk kanë ardhur te unë në komunë, por kanë shkuar te të tjerë politikanë”.
“Paratë që i ka dërguar, i ka dërguar në 15 xhepa në Luginë të Preshevës, nuk iu kanë shkuar qytetarëve të Preshevës. Neve po na ndërhyn tash e sa vite. Tash po e shohim edhe në Maqedoni të njëjtën qasje”, tha Arifi në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se të gjithë politikanët që s’janë në vijë me Lëvizjen Vetëvendosje po etiketohen si tradhëtarë, për të cilët tha se “ata për mua janë anti-kombëtar e anti-shqiptarë”.