Shumë gra kosovare ndajnë jetën me burra të cilët ushtrojnë dhunë psikike e fizike ndaj tyre. Ato rrezikojnë jetët e tyre duke banuar nën një çati me burra që s’hezitojnë t’i kërcënojnë edhe me jetë ato.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Përlepnicë të Gjilanit, ku një burrë dyshohet se ka kërcënuar seriozisht bashkëshorten e tij.
Sinjali mëson se gjithçka ka nisur pasi gruaja kishte vendosur që të ndahet dhe ishte larguar nga shtëpia. Pas kësaj i dyshuari ka kontaktuar me të duke i dhënë ultimatum tri ditë që të kthehet në shtëpi, në të kundërtën ku ta takojë, do ta vrasë.
65-vjeçari i është drejtuar asaj se do ta presë me thikë dhe do t’ia mbysë njërin nga fëmijët.
Përballë kësaj situate, gruaja ka vendosur që të kërkojë ndihmën e Policisë, duke rrëfyer gjithë dhunën e përjetuar nga bashkëshorti i saj.
Njësitë policore janë vënë menjëherë në lëvizje, me ç’rast kanë arritur që ta arrestojnë personin e dyshuar, i cili është recidivist i veprave penale të dhunës në familje.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë.
Kujtojmë që shumë raste të dhunës në familje kanë përfunduar tragjikisht në Kosovë, pasi thirrjet për ndihmë nga gratë hasën në vesh të shurdhër nga organet e sigurisë.