Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ka takuar sot Drejtorin kryesor për Evropën dhe Politikat e NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes, Alton V. Buland.
“Gjatë takimit me z. Buland kërkova që në rrafshin e bashkëpunimit Kosovë-ShBA të ngritet dialogu strategjik për çështje bilaterale mes dy vendeve, në të njëjtën kohë të ndodh anëtarësimi i Kosovës në NATO”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.
Postimi i plotë:
Nder i madh të vizitoj prapë Pentagonin dhe të takohem me z. Alton V. Buland, Drejtor Kryesor për Evropën dhe Politikat e NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes.
Shfrytëzova rastin ta falënderoj z. Buland për angazhimin e madh që Ushtria dhe Qeveria Amerikane e ka tash e 25 vite në mbështetje të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj, në veçanti në ndihmën që i kanë dhënë forcimit të Ushtrisë së Kosovës.
Gjatë takimit me z. Buland kërkova që në rrafshin e bashkëpunimit Kosovë-ShBA të ngritet dialogu strategjik për çështje bilaterale mes dy vendeve, në të njëjtën kohë të ndodh anëtarësimi i Kosovës në NATO. Tash që jemi 25 vjet pas intervenimit të kësaj organizate të rëndësishme, ky do të ishte hapi i duhur i cili e ndihmon edhe sigurinë e brendshme, njëkohësisht stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
Kosova dhe Ushtria e saj është gati të jetë anëtare në krah me Amerikën dhe shtetet tjera që janë pjesë përbërëse e Aleancës veri-atlantike të NATO-s.