Avokati Gregory Kehoe, ka kërkuar që të tërhiqet nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë për krime lufte.
Arsye për këtë është mospagesa e obligimeve ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve.
Lidhur me rastin gjatë ditës së marte ka folur vëllai i Thaçit, Idrizi, i cili tha se kontrata nuk është vazhduar në vitin 2024 për shkak të vështirësive financiare në mbulimin e kostos së të gjithë avokatëve të angazhuar si pjesë e mbrojtjes së z. Thaçi.
Ai tha se avokat kryesor i ish-kreut të shtetit të Kosovës, tani e tutje, do të jetë avokati i njohur me prejardhje kroate, Luka Mishetiq.
Rreth kësaj çështje në Edicionin Special në Klan Kosova ka folur ish-sekretari në Ministrinë e Drejtësisë. Ardian Bajraktari.
Bajraktari dha edhe detaje rreth pagesës së avokatëve mbrojtës të Thaçit.
“Niveli më i lartë hyn në kompleksitetin katër, që është deri në 110 mijë euro për avokatin kryesor, për një muaj. Këtu hyn avokati kryesor, aty hyn pastaj edhe dy bashkë-avokat dhe stafi tjetër mbështetës, të cilët i kanë pagesat më të vogla”, tha ai në Klan Kosova.
Ish-sekretari i MD-së shtoi se rastet e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, hyn në nivelin e kompleksitetit katër.