Avokatë kryesor të mbrojtjes së Hashim Thaçit, pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, Gregory Kehoe, Joe Reeder, “Greenberg Legal Associates” dhe anëtarët e kësaj kompanie, kanë kërkuar të tërhiqen në rastin e tij në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në kërkesën e tyre ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë thuhet se moskryerja e obligimeve ndaj tyre është arsyeja e kësaj kërkese.
E nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se kanë marrëveshje vetëm me avokatin Luka Misetiq, dhe se me ata të lartpërmendur obligim financiar ka vetëm Thaçi.
Nga kjo ministri kanë thënë për Express, se për vitin 2023, për avokatin e Thaçit janë realizuar pagesa në vlerë 1.3 milionë euro.
“Në përputhje me Udhëzimin Administrativ numër 08/2022 për Mbrojtjen Juridike të Personave të Akuzuar Potencial për Krimet e Pretenduara në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, Ministria e Drejtësisë ka lidhur marrëveshje për përfaqësim me avokatët përkatës të personave të akuzuar, në këtë rast, me mbrojtjen e z. Hashim Thaçi, për të cilin rast, raportohet tërheqja e mbrojtjes për shkak të mos realizmit të pagesave. Në përputhje me Udhëzimin dhe Marrëveshjen e tillë (legjislacionin në fuqi), Ministria e Drejtësisë ka kryer të gjitha obligimet lidhur me pagesën apo kompensimin e mbrojtjes së z. Hashim Thaçi. Për më shumë, vetëm për vitin 2023, Ministria e Drejtësisë ka realizuar pagesa për mbrojtësit e z. Hashim Thaçi në shumën prej 1,371,800.00 Euro”, thuhet në përgjigjen e tyre për Express.
Tutje, ata thonë se për pagesa për mbrojtjen e Hashim Thaçi janë realizuar për vitet 2020, 2021, 2022 dhe 2023.
“Për vitin 2020, është realizuar pagesë prej 83,107.41 Euro, për vitin 2021 është realizuar pagesë prej 1,114,901.00 Euro, për vitin 2022 pagesa është realizuar në shumën prej 996,600.00 Euro, dhe për vitin 2023 – është realizuar pagesë në shumën prej 1,371,800.00 Euro. Për të gjitha vitet, shuma e pagesës për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi, është 3,566,401.41 Euro”, kanë thënë nga MD-ja për Express.
Nga MD-ja tutje deklaruan se kanë marrëveshje vetëm me avokatin e Thaçit, , Luka Misetiq dhe se ndaj të njëjtit janë kryer pagesat me rregull.