Avokatë kryesor të mbrojtjes së Hashim Thaçit, pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, Gregory Kehoe, Joe Reeder, “Greenberg Legal Associates” dhe anëtarët e kësaj kompanie, kanë kërkuar të tërhiqen në rastin e tij në Gjykatën Speciale në Hagë, shkruan Gazeta Express.
Në kërkesën e tyre ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë thuhet se moskryerja e obligimeve ndaj tyre është arsyeja e kësaj kërkese.
“Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Associates Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimi nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhet në kërkesën e publikuar më 19 janar të këtij viti. Aty përmendet edhe rregullorja sipas së cilës kur të caktohet grupi tjetër i mbrojtjes, avokatët paraprak duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë “në një periudhë prej jo më shumë se 45 ditë”.
Po ashtu, nga avokatët është kërkuar që gjatë kësaj periudhe të gjitha kostot e nevojshme të merren përsipër nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.