Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara në administratat e Bill Clinton dhe Barack Obama, Charles Kupchan, thotë se SHBA-ja e ka forcën ta bindë Kosovën dhe Serbinë të bëjnë kompromise për t’i normalizuar përfundimisht marrëdhëniet me njëra-tjetrën.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, ka shtyrë Brukselin të ndryshojë qasje karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kështu mendon Kupchan, i cili tha se dukshëm janë shtuar aktivitetet diplomatike në rajon dhe integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor për në BE nuk është më i pamundur.
“Mendoj që pushtimi rus në Ukrainë ka ngritur shqetësimin në Evropë dhe SHBA për largimin e qëndresave ruse në Evropën juglindore. Dhe kjo kërkon jo vetëm integrimin e Ballkanit Perëndimor në Evropë, por edhe zgjidhjen e problemeve dhe mospajtimeve aktuale në rajon, normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe të ketë paqe të qëndrueshme Bosnjë dhe Hercegovinë. Nuk dyshoj që ka një emergjencë të re që vjen nga Brukseli dhe Uashingtoni. Kjo është arsyeja pse po shohim aktivitete të shtuara diplomatike, arsyeja që BE-ja ka ndarë pako afatgjate prej 6 miliardë dollarëve, për përmirësimin e biznesit, investimeve, dhe integrimin në rajon”, u shpreh Charles Kupchan.
Sipas profesorit amerikan, SHBA-ja ka forcë t’i bindë të dyja palët të bëjnë, siç tha ai, “lëshime të dhimbshme” për t’i normalizuar marrëdhëniet.
“Mendoj se ka ardhur koha që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet. Është një çështje që po vonon tash për shumë kohë, dhe po i dëmton të dyja palët. Po ndalon integrimin e rajonit në Evropë. Dhe kohë pas kohe po merr jetë. Kemi parë raste të shpërthejë dhuna në të kaluarën e afërme. Prandaj, mendoj që sa më parë, aq më mirë. Mendoj që bashkëpunimi i afërt i SHBA-së me BE-në është formula e duhur për të shtyrë Ballkanin drejt vijës së fundit, kjo edhe për faktin se SHBA-ja ka forcë unike. SHBA-ja mund t’i bindë palët t’i shtrëngojnë duart dhe të bëjnë lëshimet e dhimbshme që mund të jenë të nevojshme, për ta finalizuar marrëveshjen e normalizimi”, deklaroi ai.