Në Kosovë nuk ka gatishmëri politike për të hequr dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor, dhe ky vend duhet të punojë ende në luftim të korrupsionit.
Kështu është thënë në raportin e Indeksit për Perceptim të Korrupsionit për vitin 2023, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.
Sikurse vitin e kaluar, Kosova ka 41 pikë.
Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.
Në pjesën për Kosovën, në raport është thënë se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësi të sistemit të gjyqësorit, sikurse krijimi i procesit të vettingut dhe miratimi i ligjit të ri, që do të mund të fuqizonte integritetin në Këshillin Prokurorial, janë duke lëvizur me ritëm shumë të ngadalshëm.
“Edhe më keq, ndërhyrja e vazhdueshme e Qeverisë në çështjet e gjyqësorit, e ilustruar me shkarkim të shefit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, bashkë me ndërhyrjen e deputetëve të shumicës në hetimin parlamentar për një rast të madh të korrupsionit, sugjerojnë se nuk ka vullnet politik për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”, është thënë në raport, njofton Rel.