Dhjetëra pajisje mjekësore, të cilat janë shfrytëzuar gjatë pandemisë COVID-19, janë mbyllur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për më shumë se dy vjet. Disave do t’u kryenin punë, por nuk i kanë. Të tjerëve ua kanë zënë rrugën.
REL siguroi qasje në Klinikën e Mjekësisë Fizikale dhe të Rehabilitimit, ku pa se gjysma e katit të tretë është e mbushur me pajisje të pluhurosura – nga ato për oksigjen deri tek ato që përcjellin aktivitetin e zemrës.
Nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), i cili mbikëqyr QKUK-në dhe spitalet rajonale, thonë se zgjidhja për këto pajisje do të gjendet “brenda javësh”, por nuk japin detaje se përse nuk është gjetur deri më tash.
“Ka përfunduar regjistrimi i pajisjeve. Nga njësitë bio-mjekësore është kërkuar që lista të shpërndahet në të gjitha njësitë në SHSKUK dhe aty ku ka nevojë, të dërgohen dhe të përdoren”, thotë për Radion Evropa e Lirë Elvir Azizi, drejtor i SHSKUK-së.
Radio Evropa e Lirë i kontaktoi disa nga spitalet rajonale të Kosovës për t’i pyetur nëse kanë nevojë për pajisjet që qëndrojnë jashtë funksionit në QKUK.
Duke i parë fotografitë e siguruara nga REL-i, një mjek në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit konfirmoi se disa pajisje aty “mund t’i hynë në punë” këtij spitali, pa specifikuar më shumë.
Ngjashëm konfirmuan edhe në Spitalin e Prizrenit.
Ndërsa në Gjakovë thanë jo, mjekët në Vushtrri dhe në Mitrovicë të Jugut thanë se nuk janë të informuar për grumbullin e pajisjeve që nuk përdoren dhe se janë në pritje të regjistrit nga SHSKUK-ja.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, disa mjekë të Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe të Rehabilitimit thanë se “bllokimi i një pjese të katit të tretë me pajisje, e pengon mbarëvajtjen e punës” së kësaj klinike.
Veç aparaturës së përdorur, aty gjenden edhe paketime me pajisje të reja, me të cilat furnizohen klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Kjo qendër nuk ka një depo të caktuar për ruajtjen e pajisjeve rezervë, apo atyre të përdorura, e që për momentin nuk përdoren.
Para 2020-ës, disa të tilla rezervë janë ruajtur në bodrumin e Klinikës së Pulmologjisë, por janë larguar prej aty, pasi disa prej tyre janë dëmtuar nga vërshimet.
Shumë prej pajisjeve që qëndrojnë në Klinikën e Mjekësisë Fizikale kanë qenë donacione për Kosovën, por ka edhe syresh që janë blerë vetë nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja.
Pas shpërthimit të pandemisë COVID-19 në vitin 2020, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar donacion nga Japonia me rreth 20 pompa shiringash dhe 10 elektrokardiograma, që tani nuk përdoren më.
Këto ishin pjesa e parë e pajisjeve nga Japonia, vlera totale e të cilave arriti shumën prej rreth 810.000 eurosh.
Pas këtij donacioni, Kosova ka përfituar edhe të tjera.
Vala e pandemisë COVID-19 e ka goditur Kosovën gjatë një periudhe më 2020 dhe një tjetre më 2021. Raste më të rralla kanë vazhduar edhe në vitet pasuese.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, mbi 3 mijë persona kanë humbur jetën pasi janë prekur nga sëmundja COVID-19, e shkaktuar nga një koronavirus.
Radio Evropa e Lirë, edhe më herët, ka raportuar për sistemim jo të duhur të pajisjeve mjekësore nëpër klinikat dhe spitalet e SHSKUK-së./rel