Kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti apeloi nga Shkupi, që të hiqen kufijtë mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ahmeti tha se shembull konkret është ai i vendeve të Bashkimit Evropian që nuk kanë kufij mes tyre.
“Unë jam ithtar shumë i fortë i Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. T’i heqim kufijtë siç i ka hequr Franca dhe Gjermania, të hiqen kufijtë mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës”, tha Ali Ahmeti në Klan.
Kërkesa e Ahmetit vjen në momentin më të rëndësishëm për shqiptarët në Maqedoni, pasi vendi do të udhëhiqet përkohësisht nga një shqiptar.
Ai është Talat Xhaferri, ish kryetar i Parlamentit të Maqedonisë dhe më herët, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në 2001 kur vendi ishte nën sundim ekstremist maqedonas dhe më në fund u arrit Marrëveshja e Ohrit.