Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ligji për TVSh-në është në procesin e përditësimit dhe se grupet punuese janë duke punuar që deri në fund të këtij viti të jetë ligji i ri, i cili do të marrë parasysh kërkesat, nevojat, e përshtatjen me trendët.
Ai këto deklarime i bëri në konferencën për media të mbajtur të hënën nga Dogana e Kosovës në të cilën u prezantuan “lehtësirat e krijuara”, ku tha se janë të përkushtuar të ndihmojnë bizneset në të bërit tregti.
“Për të mbështetur edhe prodhuesit vendor në tetorin e vitit të kaluar kemi miratuar edhe lirimin nga taksa doganore për disa prej lëndëve e gjithashtu edhe për pjesët rezervë të makinerive prodhuese ashtu që ta kenë më të lehtë të shtojnë vlerë në vendin tonë”, tha ai.
“Edhe ligji për TVSh-në është në procesin e përditësimit, tashmë kemi grupet punuese dhe jemi duke punuar që deri në fund të këtij viti ta kemi një ligj të ri i cili do të marrë parasysh kërkesat, nevojat, përshtatjen me trendët por gjithashtu edhe mbështetjen për bizneset dhe prodhuesit vendor”, tha ai.