Ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, kryetari i BDI-së, partisë më të madhe të shqiptarëve, ka kujtuar në paralamentin maqedonas Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001, e cila i dha fund luftës në Maqedoninë e Veriut.
Ahmeti iu drejtua specifikisht dy deputetëve maqedonas të opozitës, Pavle Trajanov dhe Antonio Miloshoskit, të cilët kundërshtuan ashpër zgjedhjen e qeverisë teknike me në krye Talat Xhaferin, që bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“Marrëveshja paqësore e Ohrit i dha tapinë Talat Xhaferit të jetë zot në vend dhe në shtëpinë e tij”, tha Ali Ahmeti, raporton Gazeta Express.
“Marrëveshja paqësore nuk ndryshoi vetëm karakterin e shtetit, vetëm statusin e shqiptarëve në shtetin e tyre. Fituan turqit, vllehët, serbët… Të gjithë fituan me Marrëveshjen paqësore të Ohrit. Dhe kjo marrëveshje ne na ka bë zot në shtëpinë tonë. Dhe ju duhet të jeni krenarë, sepse për kët 22 vite bashkë kemi punuar”, tha ndër tjerasah kreu i BDI-së.
“Duhet të jemi të vëmendshëm se çfarë politikash do të drejtojmë. A do mbetemi në instalimin e atyre ideve që gjithmonë kokën ta mbajmë te Moska e stomakun te Europa? Jo! Këto dy gjëra bashkë nuk shkojnë. Truri dhe stomaku duhet të bëhen bashkë sepse i kemi takuar dhe i takojmë Europës”, tha ai.
Deputetit Miloshovski, Ahmeti i tha se ku ai ka lindur, vetë kishte qenë i përndjekur nga shteti maqedonas dhe se i mohohej gjuha.
“Z. Miloshovski. kur ju keni lindur, më 29 shkurt të ’76-ës, unë kam qenë gjimnazist, por qiragji, i mohuar, i përqeshur, i përplasur nga ata që qeverisnin aso kohe. Unë si i ri nuk isha i barabartë me gjeneratën që më mësoi. Mua më mohohej gjuha e nanës, prindit tim i mohoheshte punësimi në vendin e tij, po duheshte ta braktiste vendin dhe t’i lë gjymtyrën në Austri”, tha ai.
“Ju flas si njeri që është nga prindër që kanë lënë gjymtyrën e tyre jashtë vendit, si në Austri e Libi”, tha Ahmeti, duke përmendur se ai dhe familja e tij kishin përjetuar vuajtje e tortura nga sistemi.