Kryeministri Albin Kurti është takuar sot me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së ku mes tjerash kanë diskutuar edhe për rregulloren e re të BQK-së që do të hyjë në fuqi nga data 1 shkurt.
Sipas komunikatës së ZKM-së, në takim është diskutuar për nenin 35 të rregullore që përcakton se valuta e vetme e lejuar në Kosovës për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, bazuar në Nenin 11 të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për BQK-në.
Kurti në takim ka thënë se është e rëndësishme që të respektohet kushtetuta dhe ligjshmëria në vend dhe gjithashtu që të respektohen autoritetet e pavarura në vend sikurse BQK.
“Ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte ajo rreth Rregullores së Bankës Qendrore që pritet hyjë në fuqi nga 1 shkurti, me theks të veçantë të neni 35 i saj i cili përcakton se valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme sipas nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”, thuhet në njoftim.