Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë mbyllur sot katër komunale paralale që kanë operuar ilegalisht në fshatin Vranisht të Dragashit.
Sipas Krasniqit, në këtë fshat kundërligjshëm kanë vepruar dhe lëshuar dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit.
“Sot në fshatin Vranisht të Dragashit mbyllëm 4 komuna paralele që kanë operuar ilegalisht për gjithë këto vite. Në këtë fshat kundërligjshëm kanë vepruar dhe lëshuar dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit. Nga sot ajo më nuk operon. Republika e Kosovës është shtet unitar dhe si e tillë nuk do të lejojë asnjë paralelizëm kundërkushtetues”, ka shkruar Krasniqi.
Postimin e Krasniqit e ka shpërndarë Sveçla, ku ka thënë se “Institucioni i vetëm i Serbisë në Republikën e Kosovës do jetë ambasada e saj në Prishtinë.”
“Dje ne Zveçan e sot në Dragash, ashtu siç jemi zotuar, rend dhe ligj anekënd e në çdo cep të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.