Kryeministri Albin Kurti ka vazhduar të lavdërohet me qeverisjen e tij.
Ai ka deklaruar se Kosova është kampione e Ballkanit sa i përket rritjes ekonomike.
Pas ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për persona të moshuar në Podujevë, ai ka thënë se në Kosovë janë dyfishuar investimet e huaja.
“Unë e ritheksoj që Kosova ka interes jetik që procesi i normalizimit me Serbin, që më shumë varet nga Serbia se sa nga Kosova, të jetë i ndarë prej procesit të integrimit në BE. Edhe sa i përket sundimit të ligjit, lirisë së mediave, të drejtave të njeriut, të drejtave politike, lirive civile, cilësisë së zgjedhjeve Serbia është e pa krahasueshme më Kosovën. Kosova është kampione e Ballkanit sa i përket rritjes ekonomike dhe rishpërndarjes sociale. Janë dyfishuar investimet e huaja”, ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka vlerësuar se ajo që është destruktive në Ballkan është Serbia.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të jetë pengë i destruktivitetit të Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së.
“E tash gjithë ky proces ekonomik dhe demokratik i Kosovës të ngelet peng i destruktivitetit të Serbisë që orkestron e financon paramilitar, nuk është e drejtë. Unë e kuptoj që BE-ja e dëshiron fqinjësinë e mirë, në jemi për fqinjësi të mirë por fqinjësi e mirë nënkupton njohët të ndërsjellët. Destruktiviteti i Beogradit nuk do duhej të përkthehet në ngadalësim të procesit për Kosovën”, është shprehur Kurti./EO