Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare.
Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Një rast i tillë është zbuluar dje në Gjakovë, ku është arrestuar një person i dyshuar.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Eduard Neza, 32-vjeçar.
Neza u kap në flagrancë me substanca narkotike si kokainë, marihuanë e ekstazi [metilendioksimetamfetamina ose MDMA] , pasi vetura në të cilën ndodhej u ndal për kontroll nga një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Musa Zajmi’.
Narkotikët janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndërkohë Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e Nezës, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një tjetër sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja apo shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale.
“Një mashkull kosovar është arrestuar për shkak se gjatë kontrollit në veturën dhe shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar: 26.28 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 0.34 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë dhe 1.21 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit MDMA. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kujtojmë se sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.