Anëtari i kryesisë së LDK’së, Visar Azemi, në “Frontal” të T7, ka thënë se faturat e energjisë elektrike janë të papërballueshme për qytetarët.
Azemi shtoi se “problemi i neglizhencës, paaftësisë dhe korrupsionit të kësaj qeverie po paguhet tani”.
“Duhet t’i sqarojmë dy elemente. E para, Kuvendi i Kosovës, deputetët e zgjedhur aty, e kanë për obligim që pakënaqësitë, zhgënjimet apo telashet që i ngrisin qytetarët, t’i debatojnë në kuvend dhe të marrin vendime në të mirën e tyre. Kjo është arsyeja që ne kemi marrë pjesë në dialogun dhe diskutimin që është mbajtur në Kuvend, ku kemi kërkuar të sqarohen të gjitha këto probleme dhe pakënaqësitë nga qytetarët që ishin ngritur me të drejtë për faturat e larta të energjisë elektrike. Pra po flasim për fatura të papërballueshme, për disa kategori të njerëzve të cilat nuk mund t’i injorojmë dhe përjashtojmë nga mendimi ynë. E dyta, ka të bëjë me problematikat që, unë e thashë edhe më herët problemi i neglizhencës, paaftësisë, i korrupsionit të kësaj qeverie, po paguhet tani. Pra, qytetarët duhet ta dijnë se këto fatura janë për shkak se ato mjete nuk janë mbledhur në muajt e kaluar dhe tani me këto ngritje të faturave ne duhet ta kompensojmë humbjen e një kompanie, e cila ka bërë distribuimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike dhe ato çmime i ka të rregulluara nga ZRRE”, tha ai në “Frontal”.
Ai shtoi se qytetarët e kanë të pamundur t’i paguajnë faturat për shkak të kostove të mëdha dhe për shkak të standardit të ulët të tyre.