Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë të enjten se ndërtimi i stabilitetit në Ballkanin Perëndimit kërkon kohë, dhe liderët e rajonit duhet të pranojnë që duhet të bëjnë më shumë për të çuar përpara rajonin.
Ai i ka bërë këto deklarata në Fondin Gjerman Marshall, në adresimin e tij të parë të madh prej kur e ka marrë pozitën e mbikëqyrësit të marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Evropën dhe Euroazinë.
I pyetur nëse Perëndimi duhet të zgjedhë në mes të reformës dhe stabilitetit për rajonin e Ballkanit, dhe nëse ekziston një balancë në këtë drejtim, ai ka thënë se me proceset e shumta në këto vende duhet të punohet në faza të ndryshme.
I pyetur për zgjedhjet e fundit në Serbi, të cilat janë kritikuar prej faktorit ndërkombëtar, ai ka thënë se “sfida është se kush do të mund të premtojë rezultat për njerëzit në Serbi?”, dhe duke përmendur rëndësinë e ruajtjes së demokracisë në rajon.
Partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS) ka fituar 46.72 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale, të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar.
Duke folur në këtë temë, ai ka përmendur se Serbia është duke pasur performancë të mirë ekonomike në kohën e fundit dhe kjo, sipas tij, nënkupton se ky vend do të ketë rritje ekonomike dhe do të tërheqë investime të reja në Serbi.
“Nëse dëshirojmë që edhe shtetet tjera t’i kenë mundësitë e njëjta, do të duhet të inkurajomë reforma, qoftë edhe me rrezikun e jostabilitetit”, ka thënë ai.
Mes tjerash, O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do t’i ndihmojnë Bashkimit Evropian në procesin e zgjerimit, me qëllim të përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në të.
Në këtë drejtim, ai e ka vënë theksin te Plani i BE-së për rritje ekonomike – të prezantuar më 22 janar në Shkup – duke thënë se ai do të shërbejë si shtysë e re për këto vende në rrugën drejt integrimeve.
“Këto janë steroide për një ekonomi”, ka thënë ai, kur ka folur për fondet që do të mund t’i përfitojnë vendet e Ballkanit, në këmbim të kryerjes së reformave.
Mes tjerash, O’Brien e ka përmendur se në takimin e 22 janarit, e ka vërejtur që vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lodhura me premtimet e dhëna të BE-së për zgjerim, pa ndonjë rezultat konkret dhe beson që plani i ri do të ketë efekte praktike.