Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili qëndroi për një vizitë zyrtare sot në vendin tonë.
Ata fillimisht zhvilluan një tête-à-tête para takimit bilateral ndërmjet delegacioneve zyrtare.
Kurti i uroi mirëseardhje në Prishtinë dhe Ndërtesën e Qeverisë për herën e dytë, pas vizitës së parë të tij në dhjetor të vitit 2021.
“Dy vendet dhe shtetet tona i dëshirojnë më të mirën njëra-tjetrës dhe kanë komunikim dhe bashkëpunim të mirë si në aspekt institucional ashtu edhe në nivel të shoqërive tona”, u shpreh kryeministri Kurti në fillim të takimit.
Ai e falënderoi presidentin Pendarovski dhe Maqedoninë e Veriut për mbështetjen ndaj Kosovës në çështje të ndryshme me interes të përbashkët, veçanërisht në rrafshin ndërkombëtar përmes përkrahjes në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale, fushat në të cilat mund të shtohet e thellohet bashkëpunimi, dhe projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin dy shtetet, siç është projekti i rrugës Prizren-Tetovë për të cilën në javën e dytë të këtij muaji ministrat respektiv nënshkruan marrëveshje për bashkëfinancim të hartimit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Prizren-Tetovë.