Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar në NATO, si dhe ambasadorin e MB-së në Kosovë, Nicholas Abbott.
Takimi me Abbottin është njëherësh edhe takim lamtumirës pasi ai për pak ditë do të largohet nga Kosova, për t’u zëvendësuar nga Jonathan Hargreaves.
Maqedonci tha se Abbott, “me punën e tij të shkëlqyer i shërbeu rritjes së bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”.
Ministri thotë ta ketë falënderuar ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë të rëndësishme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe veçanërisht për kontributin në heqjen e vizave për personelin civilë dhe ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
“Theksova faktin se shteti britanik ka qenë dhe është aleat i Kosovës në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e vendit tonë, si dhe ruajtjen e vlerave demokratike. Ndërsa ambasadori Abbott do të mbetet mik i përjetshëm i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Maqedonci.