Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha vazhdon të mbetet në arrest shtëpiak pasi Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Këtë vendim, avokati i Berishës Genc Gjokutaj e cilësoi si politik.
“Qëllimi i vetëm është që Berisha të izolohet”, tha ai, ndërsa njoftoi hapin e radhës, për të dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë.
Sipas Gjokuajt, gjykata nuk është shprehur mbi kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila sipas mbrojtjes, është në konflikt interesi me Berishën.
Ndërkohë, një kërkesë e dytë e Berishës do ta detyrojë gjykatën të zbresë në seancë në datën një shkurt, ku do të vlerësohet nëse është apo jo i drejtë konkluzioni i SPAK, për të mos e lejuar ish kryeministrin që të shkojë në parlament.
Për herë të parë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në “arrest shtëpie” që në 30 dhjetor, u paraqit në SPAK të martën, ku dhe iu përgjigj prokurorëve mbi dosjen Partizani.