U thjeshtua si punë e BQK-së që s’lidhet me dialog, por dinari serb i nxjerr problem Kosovës me ndërkombëtarët

Një rregullore e re e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për qarkullimin e parave në vend, që do të futet në fuqi nga data 1 shkurt e që njeh euron si valutën e vetme, ka nxitur reagime të shumta.

Të parat kanë ardhur nga Serbia, duke e interpretuar si një vendim që ndalon përdorimin e dinarit që sipas Beogradit ka për synim “të përzë serbët lokalë”, shkruan Gazeta Express.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, duke parë gjithë raportimet, kishte dalë me një reagim të gjatë në profilin e tij zyrtar, duke thënë se vendimi i BQK-së s’ka të bëjë me ndalimin e dinarit meqë ai kurrë s’ka qenë i lejuar dhe që rregullorja e re s’ndërlidhet me procesin e dialogut me Serbinë.

Sipas Bislimit, serbët do të mund t’i marrin pagesat e tyre të konvertuara në euro dhe se rregullorja e re vetëm e ngushton hapësirën e veprimit të atyre që kanë sjellë në Kosovë dinarë me thasë në mënyrë ilegale.

“Rregullorja e sipёrpёrmendur nuk ёshtё produkt i negociatave politike nё Bruksel dhe si e tillё nuk ka se si tё ketё ndikim nё mbarёvajtjen e procesit tё normalizimit tё raporteve mes Republikёs sё Kosovёs dhe fqinjit tonё verior”, kishte shkruar Bislimi më 18 janar në profilin e tij në “facebook”.

Megjithatë në sytë e faktorit ndërkombëtar, rregullorja e re e BQK-së s’është parë me thjeshtësinë qe e ka shpjeguar numri dy i Qeverisë së Kosovës.

I menjëhershëm ishte reagimi i ndërmjetësit të dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se ka diskutuar me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, për këtë çështje dhe shqetësimet e palës serbe i ka përcjellë edhe në Bruksel.

“Këtë çështje e ngrita në bisedën time me kryenegociatorin nga Kosova, z. Bislimi. I kërkova që t’u përgjigjet disa pyetjeve të rëndësishme. Dhe së dyti, atë informacion ia kam përcjellë Brukselit dhe shërbimet tona tani janë duke e analizuar situatën. Presim që ta dalin shumë shpejt me ndonjë qëndrim të përbashkët dhe zyrtar”, tha Lajçak.

Shefi i Zyrës së BE-së, Thomas Szunyog, i shqetësuar për këtë çështje i ka shkuar dje në BQK, guvernatorit Ahmet Ismaili.

Szunyog ka kërkuar sqarime nga Ismaili dhe ka thënë se është shqetësues fakti që ka shumë pak kohë për të bërë ndryshime eventuale, meqë pritet të hyjë në fuqi nga data 1 shkurt. Gjithashtu Shefi i Zyrës së BE-së kishte thënë se ky interesim i tij vjen pasi rregullorja pritet të ndikojë në jetën e zonave të banuara me shumicë serbe.

“Pyeta se si do të zbatohet pasi që pritet të ndikojë veçanërisht në jetesën e qytetarëve në zonat me shumicë serbe. Shpreh shqetësim për faktin se ka shumë pak kohë për përshtatje para hyrjes në fuqi të rregullores”, ka shkruar Szunyuog.

Qëndrimin dhe shqetësimet e shefit të Zyrës së BE-së janë mbështetur edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde.

“Unë ndaj të njëjtat shqetësime të ngritura nga kolegu im i BE”, ka shkruar Rohde duke shpërndarë qëndrimin e Shefit të Zyrës së BE-së.